Diaspora shqiptare ul Ramen dhe Meten ne nje tryeze| ABC News Albania

Diaspora shqiptare uli në një tryezë Presidentin Meta me Kryeministrin Rama. Kreu i Shtetit theksoi se situata në vend pas tërmetit duhet të shërbejë si një moment reflektimi dhe pajtimi për interesat kombëtare të vendit. Ndërsa Kryeministri Rama duke mohuar mundësinë e një ndryshimi pushteti, tha se vendi ka nevojë për një ridimensionim të politikës.

Nuk pati një shtrëngim duarsh, por Diaspora shqiptare i detyroi të ulen në një tryezë.

Presidenti i Republikës Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama morën pjesë në Këshillin Koordinativ që u mbajt në Tiranë.

Falenderuan shqiptarët përtej kufijve për solidaritetin e treguar pas tërmetit të 26 nëntorit e artikuluan mesazhe që u duken se i kishin dhe për njëri-tjetrin.

I pari që apeloi për reflektim dhe pajtim ishte kreu i shtetit.

“Unë besoj se ky solidaritet do të vazhdojë deri në shërimin e plotë të kësaj fatkeqësie të rëndë. Kjo fatkeqësi të shërbejë dhe si moment reflektimi për të forcuan bashkëpunimin në interes të qytetarëve, tha Meta.

Për tu përgjigjur kryeministri huazoi shprehjen e një prej personaliteteve te spikatur shqiptar, Faik Konicës.

Konica thoshte se historia na mëson që të gjitha ndryshimet politike kanë pasur përherë dy faktor, emigrantët dhe një elitë të vogël intelektualësh brenda vendit.

Këtu shefi i qeverisë theksoi se është e rëndësishme që të mos harrojmë mesazhin që na dha tërmeti.

“Nuk bëhet fjalë për një ndryshim politik, por për një ndryshim që ta kapërcejë politikën dhe duke zgjeruar perimetrin e mirëkuptimit të njerëzve me njerëzit. Këtë mesazh të tërmetit ta kenë të gjithë parasysh, unë është e sigurt që nuk do ta harroj”, tha Rama.

Me të mbaruar fjalën kryeministri u largua.

Ndërsa Presidenti qëndroi pak më gjatë në këtë takim. /abcnews.al