Termeti rrenon kalane e shekullit te V-te ne Durres |ABC News Albania

Lëkundjet e forta të tërmetit kanë shkaktuar dëme në monumentet e kulturës. Kalaja e shekullit të pestë në  Durrës është shembur. Dëme të mëdha ka patur edhe në kalanë e Prezës, ndërsa në muzeun historik kombëtar ka plasaritje të mureve dhe rënie të pllakave. Ndërsa teatri kombëtar nuk ka pësuar dëmtime nga tërmeti.

Godina e teatrit kombëtar nuk ka pësuar dëme nga tërmeti.  Anëtaret e aleancës për mbrojtjen e teatrit që në orët e para të mëngjesit janë ndodhur në oborr,  më pas ata kanë lidhur energjinë elektrike përmes gjeneratorit dhe kanë inspektuar hollin dhe skenën, të cilët nuk kanë pësuar dëme as kornizat e pikturave nuk kanë lëvizur nga lëkundjet e forta. 

Aleanca i ka kërkuar paqe kryeministrit për shkak të situatës së tërmetit.

“Z. Kryeministër,
në situatën e krijuar nga tërmeti i , ju bëjmë thirrje të harroni për ca kohë konfliktin me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit dhe të urdhëroni rilidhjen me rrjetin elektrik dhe ujin e pijshëm.
Nëse ka energji dhe ujë, Teatri Kombëtar mund të strehojë disa familje njëkohësisht.
Ne anëtarët e AMT zotohemi të ofrojmë ndihmën tonë për t’ua lehtësuar sadopak vuajtjet qytetarëve të pastrehë.
Shqipëria dhe shqiptarët mbi të gjitha!”

Edhe kësaj here muzeu historik kombëtar ka pësuar dëme në pjesën e jashtme.  Policia ka vendosur  kordon sigurie  në pjesën e pasme, pasi disa pllaka kanë rënë nga lart dhe rrezikojnë jetën e kalimtare.

E njëjta situatë është edhe në hyrje të muzeut dhe në anësore ku ka rënie pllakash. Ndërkohë që  pavionet e muzeut  janë të mbyllura për vizitoret, por sallat e ekspozimit janë të hapura.

Drejtuesit e Bibliotekës  kombëtare  kanë zgjedhur që biblioteka të qëndroj e mbyllur  për shkak të situatës.

Edhe monumentet e kulturës kanë pësuar dëme.  Kalaja e Prezës,  u dëmtua edhe nga tërmeti i 21 shtatorit, ky institut i monumenteve ka bërë disa ndërhyrje përforcuese por tërmeti i kësaj here ka shkaktuar dëme të mëdha në kalanë  e shekullit të 14.

Muri i kalasë është çarë, ndërsa kanë rënë edhe disa gurë nga muri rrethes. Kalaja e Prezës është ndërtuar mbi një shkëmb, por lëkundja e tërmetit me 6.3 ballë e ka dëmtuar rëndë.

Kalaja e Prezës ndodhet 277 metra mbi nivelin e detit dhe sipas historianëve dhe arkeologëve shqiptarë e të huaj ka filluar të ndërtohet rreth 2400 vjet më parë.

Ajo ka një gjatësi 80 metra, gjerësi 50 metra dhe trashësia e mureve deri 1,4 metra. Nga kalaja e Prezës shikohet kalaja e Lezhës, Krujës, Ishmit, Petrelës, mali i Dajtit, mali i Tomorit dhe deti Adriatik.

Kalaja e  Durrësit e shekullit  ti 5 i rezistoi kohës, por jo  lëkundjeve të forta të tërmetit. Muret e saj janë shkatërruar tërësisht.

Kalaja është e lashtë sa vetë qyteti i Durrësit. Gjatë shekujve ajo është prishur dhe rindërtuar disa herë.

Muret rrethuese të Durrësit në pjesën e tyre kryesore i përkasin periudhës së Perandorit Anastas (491-518) me origjinë nga ky qytet dhe përbëhen nga dy pjesë kryesore: Akropoli ose Kështjella e sipërme dhe Kështjella e poshtme.

Në Kështjellën e sipërme kishin selinë e tyre Duka i Durrësit dhe më vonë, kur qyteti qeverisej nga feudalë shqiptarë (1368-1392), aty kishin vendqëndrimin e tyre Karl dhe Gjergj Topia. Ndërhyrjet e fundit restauruese në këtë kala janë kryer 5 vjet më parë./abcnews.al